Transmetuar më 21-10-2018, 18:27

Policia e Shtetit njoftoi pasditen e sotme se ka kryer arrestimin e ish Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve Arben Çuko.

Sakaq ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, duke thënë se për qeverinë që ai drejton, ka vetëm një krah, Drejtësinë.

Reagimin e tij kryeministri e ka dhënë në Twitter.

"Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një; s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një; s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: Drejtësinë", shkruan Rama në reagimin e tij.

Në lidhje me arrestimin e Arben Çukos reagoi më parë edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shprehej se më 3.09.2018 i ka propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko.

“E përshëndes dhe e mbështes prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-drejtorit dhe shpreh edhe njëherë vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin pa bërë dallime të asnjë natyre. Vija e sjelljes së kësaj qeverie ndaj korrupsionit është e qartë: Çdokush që shkel ligjin ka punë me drejtësinë. Pa dallim ngjyre, përkatësie politike apo ideje të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe do të përgjigjen po njësoj përpara tij”, u shpreh Gjonaj.

Arben Çuko akuzohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve.

Urdhër arresti ndaj tij u ekzekutua sot pasdite./a.k/noa.al/