Transmetuar më 21-10-2018, 11:22

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, pranoi publikisht ekzistencën e fondeve sekrete për financimin e mediave, shoqatave të gazetarëve dhe kishës në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në përgjigje të akuzave ndaj qeverisë së tij për financimin e rreth 1 milion eurove vetëm gjatë muajit tetor për gazetarë, media dhe shoqata në Shqipëri, Tsipras theksoi se një praktikë e tillë ekziston prej vitesh.

“E kam diskutuar këtë debat që kur ishim në opozitë, në vitin 2011, kemi diskutuar për procedurën sa i përket transparencës së përdorimit të fondeve. Kemi krijuar një procedurë transparente për fondet sekrete.

Nuk ka keqpërdorim të këtyre fondeve pa një firmë nga urdhëruesi, jo siç ndodhte më përpara që i shpërndanin majtas e djathtas nëpër qese të zeza. Çdo vend që respekton veten e tij e ka për detyrë të përdorë një politikë të jashtme ku të mbështetet. Prandaj fondet sekrete janë një domosdoshmëri veçse ndokush ka kundërshtime.

Debati që po bëhet kohët e fundit po bëhet në mënyrë të turpshme nga një pjesë e shtypit opozitar që synon pikërisht të godasë këtë procedurë transparente”, deklaroi Tsipras.

Kryeministri grek u shpreh i bindur se skandali për keqpërdorimin e fondeve sekrete është bërë nga opozita dhe segmente të caktuara të medias. Tsipras i kërkoi kreut të opozitës të shkojë në zyrën e tij dhe të informohet mbi mënyrën sesi shpenzohet çdo euro e taksapaguesve grekë.

Garancinë për përdorimin e fondeve sekrete e dha edhe ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias. Sipas tij, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm sa i takon përdorimit të këtyre fondeve.

“Nëse është e vërtetë gjithçka që thuhet, është sikur t’u tregojmë të huajve se nuk jemi seriozë. Ne bëmë një ligj të posaçëm për fondet sekrete të cilat kontrollohen dhe miratohen nga një këshill dhe shkojnë drejtpërdrejt në Parlament”, tha Kotzias.