Transmetuar më 20-10-2018, 09:10

Një operacion policor i koduar “Hipoteka” ka nisur procedimin penal për 11 persona, ish-punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kurbin dhe qytetar përfitues toke.

Ata akuzohen për falsifikime dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke tjetërsuar një sipërfaqe toke prej 68120 m2.

Nga ana e uniformave blu, pasditen e kësaj të premteje janë arrestuar tre persona, dy janë shpallur në kërkim, katër po hetohen në gjendje të lirë si dhe ndodhen në arrest shtëpie dhe dy të tjerë.

Arrestimi i tyre u bë në vijim të zbatimit të Forcës së Ligjit në territor, ku u sekuestruan një sërë dokumentesh si certifikata pronësie, familjare, plane nivelimi, harta treguese, akte etj., të cilat kanë shërbyer për tjetërsimin e pronës.

Kështu u vu në pranga Arben Sela, 50 vjeç, banues në Kurbin, përfitues toke, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve, kryer në bashkëpunim”, Ndue Gega, 55 vjeç, banues në Lezhë, me funksion hartograf pranë Z.V.R.P.P. Kurbin, për veprën penale “Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim” dhe Bashkim Lika, 51 vjeç, banues në Kurbin, me funksion kryetar fshati në Fushë Mamurras, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve, kryer në bashkëpunim”.

Të shpallur në kërkim me masë sigurie “Arrest me burg” janë K.P., 46 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim” dhe H.A., 54 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”.

Me masë sigurie “arrest shtëpie” janë Gj.L., 76 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në Mamurras, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve, kryer në bashkëpunim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, si dhe O.M., 69 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish-përgjegjës i Zyrës së Bujqësisë në Bashkinë Mamurras, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve, kryer në bashkëpunim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Gjithashtu, janë referuar materialet për procedim në gjendje të lirë në ngarkim të M.A., Z.K., B.K., dhe G.SH., të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, si përfitues toke dhe punonjës me detyrë shtetërore.

Aktualisht po punohet për kapjen e personave në kërkim, si dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin ligjor të personave të tjerë të implikuar. /a.y/noa.al