Transmetuar më 19-10-2018, 11:55

Partia Demokratike dënon me forcë vendimin e qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve Politikë nga selia e saj.

Në një deklaratë zyrtare të selisë blu thuhet se ky dëbim, i pabazuar në ligj, është një vendim personal i Edi Ramës dhe merr shkas vetëm prej instinktit pervers të luftës klasore, trashëguar nga babai i tij biologjik dhe ati i vet ideologjik Enver Hoxha.

Në vijim nënvizohet, se me këtë akt, Edi Rama dëshmohet edhe njëherë si armik i lirive të njeriut, shpërfillës i respektit njerëzor, frymëzues i skutave më të egra të krimit politik. “Çdo ditë, ai po sjell para syve të shqiptarëve hijet e të kaluarës dhe po vepron si nostalgjik fanatik, që ka si objektiv vetëm rikthimin e regjimit autokratik”, thuhet më tej.

PD deklaron se nuk ka fund egërsia klasore që ai hedh ndaj të përndjekurve politikë dhe për këtë rendit disa pika.

-Emëron në poste kyçe pinjollë të Byrosë Politike komuniste.

-Promovon hetuesit dhe persekutorët më të egër të regjimit komunist, duke i futur ata edhe në sistemin e ri të drejtësisë.

– Rrënon kullën e Prek Calit, simbol të antikomunizmit.

– Urdhëron t’i këndohet diktatorit.

– Keqpërdor fëmijët të parakalojnë me pankarta me simbolet e komunizmit.

– Ndërpret me ligj të posaçëm dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe haptas.

Ndër të tjera nënvizohet se, kudo e kurdo mundet, Edi Rama shfaqet si një buratin i diktatorit, një kryeministër i yllit me pesë cepa.

PD thotë se dëbimi nga selia është hapi i radhës i Edi Ramës kundër shtresës së të përndjekurve. Ministrinë e Drejtësisë, si vegël qorre e Edi Ramës, në kundërshtim me kompetencat e saj, po internon edhe njëherë Shoqatën Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve.

Sipas partisë më të madhe në opozitë, veprimi i qeverisë së Edi Ramës është provokimi më i ndyrë social dhe sulmi i radhës ndaj demokracisë në Shqipëri.

“Është dëshmia e radhës se shqiptarëve po u treten përditë liritë dhe të drejtat e tyre dhe se vendi po shkon me shpejtësi drejt një përplasjeje civile si më 1991-n, prej të cilës qeveria e Edi Ramës do të ketë të njëjtin fund si rregjimi i atit të tij ideologjik”, thuhet në mbyllje të deklaratës. /a.y/noa.al