Transmetuar më 19-10-2018, 11:05

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, zhvilloi një takim me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.

Në konferencën e mbajtur për mediat pas takimit, ai premtoi ngritjen e shkollave të reja në Shqipëri dhe përmirësimin e nivelit të arsimit.

“Presim që të mbyllen institucionet antiturke në Shqipëri. Kjo është pritshmëri e jona. Është një kërcënim tepër serioz për Shqipërinë, ata mund të bëjnë çdo gjë”, u shpreh Çavusoglu.

Ai shtoi më tej se Gylenistët kanë në kontroll sistemin arsimor dhe shëndetësore.

“Mbyllni shkollat e Fetullah Gylenit, janë kërcënim serioz në Shqipëri. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria dhe këtë presim edhe nga vendi juaj. Të eliminohet FETO në Shqipëri”, bëri thirrje ministri turk.

Përballë këtij shqetësimi, Bushati tha se, përgjigjja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i është dhënë qoftë Turqisë qoftë edhe ndërkombëtarëve.

“Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi ne rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime ndaj çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”, deklaroi Bushati.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Çavusoglu do të takohet me gjithë krerët e shtetit. /a.y/noa.al