Transmetuar më 18-10-2018, 21:24

"Lufta" e qeverisë Rama për mbylljen e basteve dhe industrisë së bixhozit në tërësi, është cilësuar si një maskaradë nga ana e ish kryeministrit Sali Berisha, ku sipas këtij të fundit e gjithë kjo lëvizje bëhet për të marrë kontrollin e sektorit fitimprurës.

I ftuar në Abcnews gjatë mbrëmjes së sotme, Berisha u shpreh se beteja me bastet është aq serioze për Ramën sa dhe beteja e tij me drogën.

"Beteja e tij me bastet është aq serioze sa beteja e tij me drogën. Pasi e shndërroi Shqipërinë në "Kanabistan" bëri be se do të luftojë drogën, por që nuk po e lufton por droga po e fundos më shumë këtë vend. E njëjta gjë është me bastet apo me atë që unë e quaj industria e mëkatit", u shpreh Berisha.

Ish kryeministri vijoi më tej duke thënë se biznesi i bixhozit shumë shpejt do ta hajë vendin pasi sipas tij, monopolin do ta marrë vetë Edi Rama dhe familja e tij.

"Ai po mbyll 4 mijë dhe po hap potencialisht 40 mijë, 400 mijë apo një million, pasi po kthehet në celular, pra tek loja e bixhozit me cellular. Ky po shkatërron Shqipërinë. Vendin do ta hanë bastet në një kohë të shkurtër. Pas të gjitha informatave që më kanë ardhur, ai po i monopolizon të gjitha në duart e vëllait të vet", u shprej Berisha./a.k/noa.al/