Transmetuar më 18-10-2018, 16:33

(NOA.al) – Në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu sot shqetësimin për ultimatumin e e AKEP i cili urdhëroi një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe foli mbylljen e mundshme të tyre, listë kjo që bartte gabime të papërgjegjshme.

Désir kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Kreu i OSBE nuk është ndalur me kaq.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore, Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore.

Në letër, sikurse evidenton OSBE me një njoftim zyrtar, Desir ka theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Lëvizja e OSBE vjen pak ditë pasi më 15 tetor, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi një listë me 44 faqe interneti mediatike, që sipas saj duhet të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT brenda 72 orësh, të cilin duhet ta publikojnë pastaj online, duke kërcënuar se mosrespektimi i këtij urdhri rezulton në mbyllje të faqeve të internetit.

Për kreun e OSBE për Lirinë e Medias, kjo është e papranueshme:

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online", deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias. /noa.al/