Transmetuar më 18-10-2018, 16:19

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median, Albana Vokshi, njoftoi sot një nismë ligjore e cila, siç ajo pohoi, bëhet për të vënë në frena paligjshmërinë dhe papërgjegjshmërinë e AKEP (Autoriteteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare).

Nisma ligjore që e gjeni të plotë më poshtë, vjen pak ditë pasi AKEP lëshoi një ultimatum 72-orësh mbi portalet që sipas saj janë të palicencuara dhe nuk kanë si dhe/ose nuk publikojnë NIPT të marrë në QKB.

Lëvizja e AKEP erdhi pak orë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi paketën antishpifje ku një nga masat ishte edhe rregullimi sipas tij i tregut të mediave online.

AKEP nxori një listë me 44 portale që i etiketoi si të paregjistruara në QKB, por kjo rezultoi se ishte listë e papërgjegjshme, pasi një pjesë e mirë ishin të regjistruara kurse një pjesë tjetër ishin faqe të regjistruara në Kosovë, Maqedoni e gjetkë.

Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike, evidentoi sot se Urdhri i datës 15 Tetor 2018 i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për regjistrimin e portaleve online në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe publikimin e NIPT-it në faqet e tyre është: – në shkelje të hapur të kompetencave që i njeh ligji për komunikimet elektronike; – në është shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

‘Si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Median i kam kërkuar zyrtarisht kryetarit të AKEP-it pezullimin e menjëhershëm të këtij urdhri antikushtetues dhe antiligjor.

Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore – siç është liria e shprehjes dhe e medias – përballë censurës shtetërore që do të instalojë Edi Rama’, – tha zonja Vokshi. /noa.al/