Transmetuar më 18-10-2018, 11:54

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare u ndal në çështjen e lojërave të fatit. Ai shprehu keqardhje që një pjesë e deputetëve dhe posaçërisht ata të komisionit të Financave dhe Ekonomisë, janë kthyer në shënjestërn e një sulmi vulgar mesazhesh si të burgut 313.

Rama deklaroi se do të bëhet mbyllja e basteve sportive që nga ndeshjet e futbollit, deri te garat e katërkëmbëshve dhe të basteve online.

“Sa i përket online do arrijmë në një konkluzion të studiuar dhe mbi bazën e të cilit do mund të keni një studim të mëtujtshëm, të një kohe tjetër. Që sot po ua them personalisht unë jam kundër, ama në 1 janar të vitit të ardhshëm ne do e sanksionojmë këtu në parlament, nuk ka më asnjë lloj basti apo kazino, në asnjë zonë të banuar”, u shpreh Rama.

Ai tha se janë bërë spekulime, edhe për kazinotë elektronike për spostimin e tyre në periferi dhe në këtë drejtim bëri sqarim.

“Nuk ka asnjë spostim në periferi të kazinove. Do jenë të mundura vetëm në hotelet apo resortet me pesë yje në zonat e definuara si turistike, asnjë lëshim në asnjë vend tjetër s’do të ketë”, tha Rama.

Duke iu drejtuar opozitës, ai shtoi se është fatkeqësi por është realitet që ata që sot mungojnë në parlament, janë në krahun e atyre që po luftojnë online dhe që po agresojnë një pjesë të deputetëve të kësaj shumice me mesazhe.

Teksa shigjetoi Sali Berishën, ai tha se lideri legjendar i Partisë Demokratike, ka marrë anën e basteve, duke e vënë tabelën e tij dixhitale në funksion të shpifjeve, që organizohet nga krimi i organizuar që sipas tij, financon një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie.

Duke iu referuar akuzave për krijimin e një monopoli online, ai i cilësoi si shpifje, ndaj shtoi se duhet ta mbajnë për vete turpin e përfaqësimit të këtij llumi.

“Ne dimë më tepër se kaq për lidhjet e atyre që shkojnë banak më banak për të kundërshtuar në mënyrë hipokrite dhe hileqare që e lidhin sulmin në monopol online, por që gjenezat e kanë në qelitë e burgut 313. Ndërkohë mbi 65% e lojtarëve kanë nisur aktivitetin në moshën 10-15 vjeç, kjo është mosha kur fillon formimi i këtyre lojtarëve dhe kjo është arsyeja pse Franca ka ndaluar me ligj çdo sallon bastesh dhe hapja e një salloni bastesh të çon në burg deri në 3 vjet”, u shpreh Rama.

Madje ai shkoi më tej duke përmendur problemet që krijon varësia nga bixhozi, si tentativat për vetëvrasje, distancimi nga familja, divorci, madje edhe vjedhja e shtëpisë. Sipas tij në kazino përdoren fajdet, të cilat pasohen edhe me kërcënim. /a.y/noa.al