Transmetuar më 18-10-2018, 11:10

Gjykata e Apelit të Tiranës, ka marrë vendim lidhur me Izet Haxhinë, i cili kërkoi rigjykim për dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit.

Apeli vendosi që në 21 nëntor të mbahet seanca kur do të shqyrtohet kërkesa e tij.

Trupa gjykuese që do të shqyertojë kërkesën është e përbërë nga Valdete Hoxha, Astrit Haxhialushi dhe Genti Shala.

Ish-truproja i Sali Berishës, u ekstradua në muajin maj nën masa të rrepta sigurie.

Ai është dënuar me 25 vite burg, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit.

Haxhia nuk e ka pranuar kurrë një akuzë të tillë, ndërkohë që prej kohësh kishte kërkuar ekstradimin, në mënyrë që të përballej me drejtësinë shqiptare. Madje ai u dorëzua në autoritetet turke, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Izet Haxhia prej kohësh ka hedhur akuza të ashpra edhe në drejtim të ish-shefit të tij, liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha për rolin që sipas tij ka luajtur në ekzekutimin e Azemit.

Haxhia ka paralajmëruar se posedon disa prova të forta që sipas tij nuk janë përdorur në procesin gjyqësor të përfunduar vite më parë.

Azem Hajdari u ekzekutua me armë zjarri më 12 shtator të vitit 1998, fare pranë selisë së Partisë Demokratike. /a.y/noa.al