Transmetuar më 18-10-2018, 10:46

Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi pritet të mbërrijë në Prokurorinë e Tiranës ditën e sotme, ku është thirrur për të denoncuar lidhur me rastin “Xhisiela”.

Thirrja e tij vjen pas kallëzimit të bërë nga ish-oficeri Emiljano Nuhu, i cili pretendon se është kërcënuar nga kryebashkiaku.

Nuhu pretendon se Bushi ka shkuar në komisariat dhe i ka kërkuar të ndërpresë hetimet ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, i denoncuar për dhunë nga ish e dashura e tij Xhisiela Maloku.

Sakaq Rexhep Rraja, i cili kërkoi dje lirinë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, u la sërish në arrest me burg.

Ndërkohë Xhisiela Maloku befasoi kur shkoi në gjykatë në mbështetje të tij.

Madje ajo foli për mediat duke deklaruar se e ka bërë gjithçka me vullnet të lirë dhe pa asnjë lloj presioni duke thënë se këtë gjë e ka konfirmuar me një deklaratë noteriale. Por gjithçka sipas saj është bërë prej xhelozisë dhe se çdo gjë ka kaluar.

Me syzet e diellit vendosur dhe e veshur sportive, Xhisiela tha se e vërteta e saj është vetëm ajo që ka thënë në media dhe se oficeri i policisë që flet kundër saj, Emiljano Nuhu është në azil.

Ajo u pyet nga gazetarët nëse e ka takuar Rexhep Rrajën në paraburgim, duke thënë se, “Kam kontaktuar me të, kemi marrëdhënie shumë të mira. Kemi marrëdhënie shoqërore, nuk kemi probleme, nuk do kemi më probleme”.

Por ajo deklaroi se nuk ka shkuar në paraburgim, por se kanë kontaktuar bashkë.

Madje ajo sulmoi mediat duke thënë se kushdo që tani e tutje do merret me jetën e saj, do paditet për shpifje. /a.y/noa.al