Transmetuar më 18-10-2018, 10:09

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën lidhur me 22-vjeçarin Mirald Metallari, i cili akuzohet për vrasjen e dy prindërve të tij.

“Burg përjetë” është kërkesa e prokurorisë, ndaj të riut, ndërsa do të jetë gjykata ajo që do të japë vendimin ndaj tij.

I riu akuzohet se mesditën e 24 korrikut të vitit 2017, qëlloi për vdekje me pistoletë babanë e tij, Miftar Metallari, efektiv policie, si edhe plagosi nënën e tij, Nurie Metallari, e cila ndërroi jetë pak më vonë në spital.

Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin, Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se më datë 24 korrik rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin Miftarin për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë.

I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Miraldi ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë dy motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit. I dyshuari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare me viktimë babanë e tij dhe “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, me të dëmtuar nënën e tij, si edhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. /a.y/noa.al