Transmetuar më 18-10-2018, 09:16

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ka shkuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për një tjetër padi për shpifje.

Ai ka kallëzuar kryedemokratin Lulzim Basha, deputetin demokrat Ervin Salianji dhe ish-kreun e Policisë Bashkiake Tiranë, Florenc Hoxha.

Ata janë paditur për shpifje dhe kallëzim të rremë, lidhur me videon “Babale 2”.

Në video shfaqet Fredi Alizoti, i cili intervistohet nga Florenc Hoxha, teksa videon e publikoi Ervin Salianji.

Në videon e Alizotit ai deklaron se është marrë në makinë nga drejtori i policisë Ardi Veliu dhe është takuar me Ballën para prokurorisë ku më pas do të bënte deponimin se ishte ai personi që kishte imituar Agron Xhafajn.

Këtë akuzë si Veliu ashtu dhe Balla e kanë mohuar kategorikisht. Madje të dy kanë deklaruar se nuk janë takuar asnjëherë me Fredi Alizotin. /a.y/noa.al