Transmetuar më 18-10-2018, 08:30
Foto ilustruese

Goditet një tjetër rast shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla në shkolla, duke vënë në pranga një person.

Efektivët e policisë Librazhd në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një person që ndodhej në një lokal në afërsi të një shkolle, mund të shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla, u vunë në veprim.

Kështu gjatë kësaj të mërkure u bë arrestimi i 28-vjeçarit Ardit Lleshi, banues në fshatin Polis, Gostim, Librazhd.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në një lokal në afërsi të një shkolle, 28-vjeçarit iu gjet një sasi lënde narkotike rreth 6.22 gramë kanabis sativa, të cilën e kishte gati për ta shitur.

Nga ana e uniformave blu kanë vijuar kontrollet në ambiente të tjera dhe në aksin rrugor, ku kanë shoqëruar në ambientet e policisë për verifikim edhe 6 persona, kryesisht me precedentë penal të mëparshëm, si dhe kanë bllokuar dy mjete për mungesë të dokumentacionit.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al