Transmetuar më 17-10-2018, 23:30

Marrin tjetër rrjedhë hetimet në fshatin Bushkash të Matit ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Xh.R..

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar gjatë mbrëmjes së sotme nga Policia, thuhet se është plagosje dhe jo vetëplagosje siç u raportua fillimisht.

Policia ka arrestuar edhe autorin e dyshuar të plagosjes.

Rreth orës 19.50, Policia e Komisariatit Mat, ka marrë informacion se në fshatin Bushkash, Mat, dyshohet se ishte vetëplagosur me armë gjahu shtetasi Gj.R., 50 vjeç (e deklaruar si vetëplagosje paraprakisht nga i dëmtuari).

Nga dyshimet e krijuara nga grupi hetimor, si dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mekanizmit të ngjarjes u krijua bindja se shtetasi Xh.R. nuk ishte vetëplagosur.

Si rezultat i një pune të mirë-organizuar dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Matit ka bërë të mundur kapjen e shtetasit: Agustin Braca, 59 vjeç, banues në fshatin Stojan.

Ai dyshohet se për motive të dobëta ka plagosur me armë gjahu çifte shtetasin Xh.R., në ambientet e jashtme të banesës së tij.

Autori i dyshuar u kap në fshatin e tij në Stojan.

Në banesë iu gjet dhe sekuestrua arma e përdorur nga autori.

Për kapjen e tij u angazhuan 15 forca policie.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje./a.k/noa.al/