Transmetuar më 17-10-2018, 16:02

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë një tjetër padi të re ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-kreut të policisë bashkiake Florenc Hoxha.

Balla ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë ka paditur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tre persona pas daljes së regjistrimit të Fredi Alizotit, i cili sipas prokurorisë ishte imitues i Agron Xhafajt.

Padia është depozituar sot tek Krimet e Rënda dhe deputeti socialist i akuzon ata për “shpifje” dhe “kallëzim të rremë”.

Në videon e Alizotit ai deklaron se është marrë në makinë nga drejtori i policisë Ardi Veliu dhe është takuar me Ballën para prokurorisë ku më pas do të bënte deponimin se ishte ai personi që kishte imituar Agron Xhafajn.

Këtë akuzë si Veliu ashtu dhe Balla e kanë mohuar kategorikisht. Madje të dy kanë deklaruar se nuk janë takuar asnjëherë me Fredi Alizotin. Balla më pas nxori emra të tjerë, si përfaqësues të PD-së që sipas tij kanë bërë videon./b.l/noa.al/