Transmetuar më 17-10-2018, 15:22

Kryeministri grek Aleksis Tsipras, merr edhe postin e ministrit të Punëve të Jashtme, pas dorëheqjes së kryediplomatit Nikos Kotzias.

Në një njoftim zyrtar Kryeministria deklaron se, “Kryeministri Tsipras, pranoi dorëheqjen e MPJ, Nikos Kotzias dhe e falënderoi për gjithçka dha në qeveri për tre vjet e gjysmë. Ministria e Punëve të Jashtme do të drejtohet nga vetë Kryeministri, në përpjekje për të mbyllur të gjitha çështjet që kishte nisur Kotzias dhe në veçanti marrëveshjen e Prespës”.

Mësohet se ministri Kotzias dha sot dorëheqjen për shkak të pakënaqësive brenda koalicionit qeverisës.

Sipas së përditshmes greke “Kathimerini”, flitet për një përplasje mes Kotzias dhe ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos.

Thuhet se Kotzias është prekur nga sulmet e Kamenos, i cili e ka etiketuar si njeri të Soros, i cili ka abuzuar me fondet e MPJ greke.

Për më tepër ky largim i tij, duket se vjen, pasi Kryeministri Alexis Tsipras, nuk i ka dalë në krahë.

Më konkretisht Kotzias i kërkoi kolegut Kamenos të shpjegohet lidhur me një deklaratë të tij në SHBA, sa i takon marrëveshjesh dypalëshe në Ballkan, gjë që do të linte për më vonë çështjen e emrit të Maqedonisë.

Sipas Kotzias, deklarata të tilla diskreditojnë vendin dhe minojnë linjën që ka vendosur qeveria greke për çështjen e Maqedonisë.

Kujtojmë se Kotzias ishte në krye të negociatave me Shqipërinë, lidhur me çështjet e mbetura pezull mes dy shteteve.

Në proces bisedimi janë negociatat lidhur me zonat detare të kufirit mes dy vendeve, si dhe heqja e ligjit të luftës. /a.y/noa.al

Ikën nga qeveria greke, ministri i Jashtëm Nikos Kotzias