Transmetuar më 17-10-2018, 15:12

Kryeministri Edi Rama i kundërpërgjigjet opozitës lidhur me akuzat e fundit për pikat e basteve dhe shëndetësinë.

Ai shprehet i prerë se për bastet nuk ka më kthim mbas.

“Saliu u del për zot basteve, partia e vet i del kundër kontrollit mjekësor bazë falas. Këto janë dy fytyrat kuptimplota të një opozite që ka humbur bastin me të ardhmen dhe ka mbetur peng i një politike të dëshpëruar dyfytyrësie e shterpësie të ububushme. Bastet vdiqën Sali”, shkruan Rama.

Ky reagim i tij vjen pasi ish-Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha se “Denoncohet familja mafioze Rama se po krijon monopolin e vetë të lojërave të bixhozit!”

Berisha deklaroi se po mbyllen 9 mijë pika dhe po hapen online me celular 1000 000 pika të reja bixhozi, në duart e vëllait të kreut të qeverisë, Olsi Rama.

Sakaq sa i takon shëndetësisë, deputetja demokrate Oriola Pampuri tha se nëpërmjet një kontrate të paligjshme, që prej 31 janarit, Edi Rama ka detyruar mjekët të pranojnë të punojnë për të shtuar numrin e personave që bëjnë check up, përndryshe ata gjobiten deri në 300 mijë lekë.

Sipas saj, skema që detyron mjeket dhe infermieret të punojnë për konçesionarin korruptiv synon të mbulojë dështimin e konçesionit 120 milionë eurosh.

“Pavarësisht manipulimit të të dhënave vetëm 27 përqind e shqiptarëve rezultojnë me letra që të kenë kryer analizat e check up, ndërkohë që klientja dhe sponsorizuesja e Edi Ramës, Vilma Nushi, paguhet me miliona euro, sikur check up-in ta kenë kryer të gjithë shqiptarët. Për shkak të këtij koncesioni korruptiv dhe disa të tjerëve, sot shëndetësia sot është më keq”, deklaroi Pampuri.

Aji tha se Partia Demokratike është e vendosur të anulojë koncesionin e dështuar të check up-it dhe çdo koncesion tjetër korruptiv. /a.y/noa.al