Transmetuar më 17-10-2018, 14:29

Presidenti Ilir Meta, me rastin e ditës ndërkombëtare të zhdukjes së varfërisë, u ndal në një biznes social në periferi të Tiranës, ku bëri një apel të fortë për luftën kundër kanabisit dhe aktivitetit të lojërave të fatit.

Nga aty ai deklaroi se kjo ditë duhet të shërbejë si një reflektim dhe “kambanë alarmi” për të gjithë, për më shumë përpjekje në luftën kundër kësaj plage të madhe të njerëzimit dhe shoqërisë moderne.

Ai bëri thirrje që të mendojnë të gjithë në këtë drejtim, në mënyrë që të ketë një shoqëri më të shëndetshme.

“Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhuara ky fenomen. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde, me përgjegjshmëri të tillë sociale që ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell.

Sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë janë këto aktivitete, janë shërbimet, por në mënyrë të veçantë janë turizmi, bujqësia dhe agro-turizmi. /a.y/noa.al