Transmetuar më 17-10-2018, 13:34

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaron se kurrë më parë në Parlamentin Europian, Shqipëria nuk ka patur më shumë miq nga sa ka sot.

Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai tha se komiteti parlamentar i stabilizim asoocimit Shqipëri-Bashkimi Europian, kërkon hapjen e negociatave në qershor 2019.

Në këtë drejtim ai tha se, Partia Demokratike duhet të reflektojë, të ndërpresë bojkotin dhe të marrë përgjegjësinë që i takojnë.

“Ne i kemi besuar opozitës komisionin parlamentar të Integrimit dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit, por opozita ende nuk dihet ku është dhe ajo shfaqja e turpshme në Parlamentin Europian le të jetë një akt i fundit i sjelljes së politikës shqiptare në Bruksel”, u shpreh deputeti socialist.

Balla shtoi më tej se një prej miqve të Shqipërisë, Knut Fleckenstein në përfundim të asaj dite, i tha se “nuk ka pasur dhe nuk ka një vend tjetër në rrugën e anëtarësimit apo në të njëjtën fazë si ne, që opozita të shfrytëzojë mikrofonat e PE dhe të shajë vendin e vetë”.

Ai tha se gjithë çfarë ka mes opozitës dhe mazhorancës duhet diskutuar me njeri tjetrin dhe se në Bruksel duhet të shkojnë të bashkuar.

“Kemi çfarë kemi ta diskutojmë me njeri tjetrin, dhe atje të dalim të bashkuar

duhet të kemi të gjithë një mesazh, Shqipëria është në një moment historik për anëtarësimin në BE dhe se mesazhe të tilla nuk i bëjnë nder”, deklaroi ndër të tjera ligjvënësi socialist.

Këto reagime vijnë pasi teksa ditën e hënë u mbajt mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian, në Bruksel, nënkryetari i delegacionit nga opozita Genc Pollo kërkoi në emër të opozitës që komisioni i përbashkët të mos drejtohet nga Taulant Balla, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.

Sipas tij, është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën”, u shpreh Pollo.

Në vijim të qëndrimit të tij, ai tha se eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës.

Po ashtu tha se Taulant Balla është pasardhës i denjë i Saimir Tahirit në këtë komision, duke kërkuar që njëlloj si ai të largohet.

Pollo deklaroi se kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Taulant Balla është bashkëdrejtues.

Fjala e Pollos u ndërpre nga ndërhyrja e Monika Macovei, nënkryetarja komisionit të Stabilizim Asociimit.

Ajo deklaroi se akuzat e hedhura ndaj Ballës, janë kontrolluar dhe nuk rezultojnë të vërteta.

Pas denoncimit të Ballës, përfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja.

Kujtojmë se pak ditë më parë opozita kërkoi largimin e Ballës nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit.

Gjithçka duke e akuzuar se shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në Parlamentin Europian. /a.y/noa.al