Transmetuar më 16-10-2018, 18:37

“Daily Mail” ka raportuar një tjetër rast pas ariut të murrmë Tomi, këtë herë në Fier. ‘Është kopshti zoologjik i ferrit’ kështu e përshkruan rastin e “Safari Park Zoo”.

Fotografitë e publikuara nga një fotograf aktivist për të drejtat e kafshëve që ka preferuar të mbetet anonim tregojnë ferrin që përjetojnë kafshët e egra.

“Autoritetet shqiptare po nxiten të ndërmarrin veprime kundër një safari privat që i ngjan ferrit, pasi janë shfaqur foto të reja që ekspozojnë kushtet tronditëse ku qëndrojnë kafshët”, shkruan Daily Mail.

Dhe e vërteta është se fotot e shkrepura, tregojnë një gjendje mizerable, në median angleze që vëmendjen më të madhe ia kushton një luani “të kequshqyer”, me një sy të infektuar që loton.

“Ky luan kockë e lëkurë vuan nga një infeksion i syrit dhe mbahet në kushte të keqija dhe duket i paushqyer”, shkruhet në artikull.

Kafshët e tjera, janë një zebër, një ujk “thatanik” që duket sikur s’mbahet mend koha kur e ka ngrënë një kafshatë dhe një dre i mbyllur brenda një kafazi të ngushtë betoni.

Imazhet tregojnë kafshët se si lëngojnë në kafaze të shkreta dhe të pista të rrethuara nga jashtëqitjet e tyre, në mungesë të ujit të freskët, ushqimit apo edhe hijes nga dielli përvëlues.

“Daily Mail” i bën thirrje autoriteteve shqiptare të marrin urgjentisht masa kundër këtij kopshti zologjik privat pas publikimit të fotografive./b.l/noa.al/