Transmetuar më 16-10-2018, 18:17

24 vjeçarja Monique Murphy ishte një studente si gjithë bashkëmoshatarët e saj, derisa pësoi një aksident tragjik i cili i ndryshoi jetën në mënyrë drastike.

Në vitin 2014, vetëm 3 javë pasi kishte nisur universitetin, Murphy nga Australia shkoi në një festë studentore. Por një javë më vonë ajo u zgjua në spital, pa asnjë ide se ku ishte apo se çfarë mund t’i kishte ndodhur. Ajo gjithashtu e gjeti veten me një këmbë mangët.

Duke folur për australianen News. co.au, ajo tregon se ende nuk ia ka idenë se çfarë ndodhi në të vërtetë  atë natë, por një gjë e di me siguri, që është me shumë fat që është ende gjallë.

24 vjeçarja beson se dikush i kishte hedhur diçka në pijen e saj, e për këtë ra nga kati i pestë i ballkonit, duke përfunduar në një çati prej xhami.

"Pasi rashë mbi çati, isha në koma për 1 javë. U zgjova në spital duke mos patur asnjë ide se ku isha apo se çfarë më kishte ndodhur. Ishin mjekët që më treguan dhe më thanë gjithashtu se kisha humbur një këmbë", tha Monique.

Tashmë pas një periudhe të gjatë Monique ka rifituar sërish lëvizjen, kjo falë këmbës protezë.

“Isha në spital. Kam kaluar gjashtë javë atje në total dhe kam pasur tetë operacione. Një javë kisha tri operacione për tri ditë. Unë isha e rrënuar pas atyre. Dhimbja ishte e fortë. Por fillova të përpiqesha për të qëndruar e fortë. I vendosa një qëllim vetes, duhet të qëndroja në këmbë për të përqafuar vëllanë tim të mirë. Fillova punën që në spital.

Kam marrë protezat e mia të para rreth një muaj pas operacionit përfundimtar. Nga kjo fazë isha në një repart rehabilitimi në Spitalin Royal Park. Ata kishin një pishinë hidroterapie. Isha një notare entuziaste. Aty takova një instruktor noti i cili më bëri të besoj se tashmë e ardhmja ime do të ishte ky sport.

Hyrja në ujë ishte aq çliruese. Për herë të parë, unë mund të lëvizja më shumë se sa kisha aritur në javë të tëra dhe që nga ajo ditë isha personi i parë në ujë. M’u kujtua sa shumë më pëlqente të isha në ujë! Për një kohë të gjatë, kjo ishte veprimtaria e vetme që do të më nxirrte nga shtrati. Tashmë mund të them se jam një notare e zonja”, përfundon rrëfimin 24 vjeçarja./b.l/noa.al/