Transmetuar më 15-10-2018, 11:50

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i bën thirrje kreut të opozitës Lulzim Basha, që të tërhiqet nga urdhri që sipas tij, ju ka dhënë deputetëve për të bërë “rrëmujë” në Parlamentin Europian.

“Lulzim! Tërhiqe urdhrin për rrëmujë që u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Europian. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur se pas kuintave “me anonime” e bën përditë. Të presim të dy me qetësi vendimet e gjykatës dhe prokurorisë!”, shkruan numri dy i qeverisë”, shkruan Balla.

Kujtojmë se pak ditë më parë opozita kërkoi largimin e Ballës nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit.

Gjithçka duke e akuzuar se shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në Parlamentin Europian.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në Delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist.

Anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 tetorit me një politikan që ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, Edmond Bego, pasuria e te cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën.

Sipas opozitës, Taulant Balla nuk mund të përfaqësojë Kuvendin në marrëdhëniet me Parlamentin Europian, për shkak se mbi të rëndon akuza se ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të një oficeri policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të deputetit socialist Rahman Rraja, lidhur me rastin e Xhisiela Malokut. /a.y/noa.al