Kryeministri Edi Rama në një takim me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtuesit e policisë, kërkoi që shpifjet të mos ndikojnë në punën e tyre.
Madje ai u kërkoi krerëve të policisë, që çdo shpifje pasi të jetë verifikuar, të përfundojë në gjykatë.
“Shpifjet të mos ndikojnë në punën tuaj. Fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat e tuaja, nuk duhet t’u shpërqendrojnë nga misioni dhe qëllimi i këtij trupi. Që nga të fortët e llojit, që sollën përgjakjen e bllokut në Tiranë, e deri tek ata kundravajtësit që shkelin rregullat. Shikoni indeksin e sigurisë. E kemi në mesatare indeksin e sigurisë. Duan të krijojnë perceptim të kundërt për krimin, por krimi matet me statistika”, u shpreh Rama.
Ai tha se ka patur më shumë vrasje vitin e shkuar, por është folur më pak për krimin se sot dhe se 40 vrasje këtë vit, 43 vjet në të njëjtën periudhë dhe 84 në të njëjtën periudhë në janar-shtator të 2013.
Sipas tij, Roma dhe Athina e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit, si dhe nënvizoi se Shqipëria është nën mesataren e vendeve të BE për sa i përket krimit.
Rama tha se Britania dhe Suedia, Italia, Franca, Bullgaria, Belgjika, kanë indeks kriminaliteti më të lartë se Shqipëria.
“Por ata nuk e bëjnë katran me bojë vendin e tyre. Edhe për indeksin e sigurisë, renditemi ndër më të sigurtët në Europë”, deklaroi ndër të tjera Rama.
Sipas tij sot ka nisur një kujë e zezë portal më portal, foltore më foltore që rreket të bindë popullin se krimi po bën kërdinë dhe se policia nuk e lufton krimin, por është bërë njësh me të.
Ai tha se Policia e Shtetit duhet të japë një mesazh kumbues force për “të fortët”, me gjuhën e rezultateve edhe më domethënëse, edhe më të shpejta: “Mes shtetit edhe ‘të fortëve’ nuk ka paqe! Kur të dalin nga shtëpia, nuk do të jetë problemi ynë, po problemi i tyre. Kur të jenë në shtëpi, duhet të mendojnë vetëm si të zhduken, jo si të duken”. /a.y/noa.al