Transmetuar më 15-10-2018, 11:18

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë vendim lidhur me procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik droge.

Ndërsa sot përfundonte afati i hetimeve, ku organi i akuzës duhej të merrte vendim, nëse do e pushonte çështjen ndaj tij apo do e dërgonte për gjykim, është marrë një tjetër vendim. Prokuroria vendosi për të tretën herë, shtyrjen e hetimeve me tre muaj.

Kësisoj hetimet zgjaten deri më 17 janar 2019.

Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Kështu sot grupi i prokurorëve u mblodh për të vendosur për fatin e hetimeve.

Hetuesit kanë administruar deri tani përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Greqia Italia dhe Mal të Zi, por pritet që të vije edhe përgjigja e një letër-porosie që është dërguar së fundmi në Itali dhe në pritje të saj, hetimet do të shtyhen.

Kjo për shkak se Tahiri dyshohet se ka udhëtuar me disa nga personat e përfshirë nën hetim. Po ashtu Krimet e Rënda po zhvillojnë edhe një hetim pasuror lidhur me pasurinë e Tahirit, për shkak të dyshimeve se mund të jenë produkt i aktiviteteve kriminale. /a.y/noa.al