Transmetuar më 15-10-2018, 11:09

Pallati mbretëror anglez, ka dhënë lajmin më të bukur që nga martesa e Princit Harry me Meghan Markle në muajin maj.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar në Twitter dhe Instagram, bëhet me dije se çifti mbretëror janë në pritje të fëmijës së tyre të parë.

“Duka dhe dukesha e Sussex janë të lumtur t’iu njoftojnë se janë në pritje të një fëmije. Lindja parashikohet të jetë në pranverën e vitit 2019. Ata ju falenderojnë për mbështetjen e dhënë që kur janë martuar dhe janë të lumtur të ndajnë këtë lajm me publikun”, thuhet në njoftim.

Pas shumë zërave, më në fund vjen lajmi i shumëpritur. Megjithatë nuk dihet ende se çfarë gjinie ka foshnja që pritet të vij në jetë.

Lajmi për shtatzëninë vjen afro pesë muaj pas martesës së mbajtur më 19 maj.

Mediat angleze shkruajnë se Meghan është mirë dhe i ka kaluar pa asnjë problem 12 javët e para të shtatzënisë. Me gjasë pritet që foshnja të lindë në prill. /a.y/noa.al