Transmetuar më 12-10-2018, 12:54

Ka zgjatur pak më pak se 30 minuta dëshmia e kryedemokratit Lulzim Basha në Prokurorinë e Tiranës, ku u thirr për rastin “Xhisiela”.

Në dalje të organit të akuzës, ai tha për mediat se kur regjimet e korruptuara dhe kriminuara janë afër fundit, faza e fundit është shpërdorimi i shtetit për të mbytur zërin e opozitës.

“Thirrja e kryetarit të opozitës për tu marrë në pyetje në Prokurori, nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të një regjimi kriminal. Kam një mesazh për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre, PD, unë dhe shqiptarët jemi të vendosur për të larguar krimin nga politika as nuk trembemi, as shantazhohenmi dhe as kërcënohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës”, u shpreh Basha.

Ai shprehu vendosmërinë për çmontimin e “këtij shteti privat” dhe të diktaturës mafioze.

Basha tha se u thirr sot në Prokurori, pasi është kallëzuar nga një politikan bandit, i lidhur me krimin.

Dëshmia e kryedemokratit u mor lidhur me rastin e ish-oficerit, Emiljano Nuhu, personi që mori dëshminë e Xhisiela Malokut.

Opozita pretendon se Taulant Balla ka qenë në komisariat gjatë kërcënimit që i është bërë Emiljano Nuhut.

Oficeri që denoncoi rastin e vajzës së dhunuar nga djali i deputetit Rrahman Rrahja, pretendon se Taulant Balla ishte prezent në komisariatin e Krujës kur ai pretendon se është kërcënuar me pistoletë në kokë, për të mbyllur dosjen, ku Rexhep Rraja akuzohej nga ish e dashura e tij për dhunë. /a.y/noa.al