Transmetuar më 11-10-2018, 14:08

Në një konferencë të posaçme për mediat, deputeti demokrat Enkeljed Alibeaj dhe përfaqësuesi ligjor demokrat Gazment Bardhi deklaruan se është fakt se Agron Xhafaj nuk u hetua kurrë por u lejua që të iki natën në Itali, pasi u provua se ai drejtonte trafikun e drogës në Vlorë.

Alibeaj tha se është fakt se Fatmir Xhafaj falsifikoi ligjin për të mbrojtur familjarin e tij dhe se është fakt se Edi Rama ka instaluar shtet privat mafioz siç tha vetë se ka ngritur një strukturë të posaçme me synim “fabrikimin e provave në mbrojtje të Agron Xhafaj dhe Fatmir Xhafaj”.

Sipas tij hetimet janë drejtuar nga Edi Rama dhe se Prokuroria ka luajtur rolin e noterit.

Nga ana e tij Bardhi tha se për të provuar alibinë e Ramës se zëri nuk ishte i Agron Xhafaj, fabrikuan një aktor.

“Shqiptarët panë se aktori jo vetëm nuk ishte blerë e paguar, por se ishte shantazhuar nga vetë drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pasi kishte takuar Taulant Ballën. Aktori është jo vetëm prodhim amator i Edi Ramës, por akt mafioz. Aktori i Edi Ramës pohon në përgjim se është dërguar natën tek një prokuror rreth të 40-ve me origjinë nga Kruja, Gentian Osmanaj. Është shoqëruar me makinë në 1 qershor 2018, nga drejtori i policisë”, u shpreh Bardhi.

Në vijim tha se aktori i Ramës pohon se është shoqëruar me makinë nga Veliu në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në 20.00 në darkë dhe se ora e deklarimit sipas aktit të Prokurorisë është 20.05 minuta.

Ai deklaroi se provat e pakundërshtueshme janë vetëm tre, akti e ekspertizës në laboratorin britanik, tabulatet e personave të përfshirë në këtë çështje dhe qelizat telefonike të Albert Veliu, Agron Xhafaj dhe Fredi Alizoti.

Bardhi tha se prokurorët i kanë kërkuar Fatmir Xhafës që të hetojë Agron Xhafaj dhe se hetimin mbi këtë fakt nuk e ka bërë Prokuroria por Policia e Shtetit, dhe se ka hetuar vetë Fatmir Xhafaj përmes oficerëve të tij.

“Edhe mostrat e zërit të Agron Xhafaj, i ka marrë vetë Fatmir Xhafa. Ekspertiza britanike pohon se zëri është i ngjashëm me atë të Agron Xhafaj. Në 27 maj 2018 ku Fredi Alizoti deklaron se ka marrë një ofertë nga pala tjetër, pse nuk e heton prokuroria. Pse nuk heton kush është pala tjetër dhe çfarë oferte ka marrë Alizoti”, pyeti Bardhi.

Kjo deklaratë e sotme vjen pas trazimit të politikës, pas publikimit të një video nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ku në të shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.

Në video sugjerohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në audion dhe pamjet e transmetuara, Alizoti thotë se nuk e di se po regjistrohet dhe deklaron se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës.

Alfred Alizoti rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen. Alizoti, cilësohet nga Prokuroria si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt dhe i etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”.

Kjo video vjen pas audiopërgjimit të parë, ku Albert Veliu “Babalja”, pretendonte se fliste me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj për trafik droge. /a.y/noa.al