Transmetuar më 11-10-2018, 12:58

Deputeti socialist Taulant Balla, doli sot në Kuvend për rastin “Babale”, duke thënë se opozita nëpërmjet akuzave të vazhdueshme mundohet që të hedh baltë.

Ai e cilësoi opozitën si të paaftë dhe të zhytur në llucë, dhe se transmetimi i fundit është bërë në oborr të SHQUP, nga ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Lulzim Bashës.

Ndër të tjera tha se e gjithë video është e pavërtetë.

Balla thotë se Fredi Alizoti dhe Albert Veliu i njohur ndryshe si “Babalja” kanë pranuar se u janë ofruar 100 mijë euro për person nga Partia Demokratike dhe se organizatori është deputeti Ervin Salianji.

“Gazetari Jetmir Olldashi, paskësh punuar edhe nga SHISH dhe kjo e bën edhe më të rëndë gjithë këtë histori puçi ku në krye të saj është PD. Edhe transmetimi i transmetuar për të hedhur poshtë provën përforcon këtë maskaradë”, u shpreh Balla.

Ai deklaroi se PD duhet të distancohet, ose të mbajë një gjurmë të një njolle të rëndë jo vetëm për vete, por për gjithë historinë e kësaj partie.

Po ashtu nënvizoi se PD ka plot merita por me sipas tij me Lulzim Bashën në krye, Sali Berisha i vuri vulën e turpit kësaj partie.

Deklarata e tij vjen pas publikimit të një video nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ku në të shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.

Në video sugjerohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në audion dhe pamjet e transmetuara, Alizoti thotë se nuk e di se po regjistrohet dhe deklaron se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës.

Alfred Alizoti rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen. Alizoti, cilësohet nga Prokuroria si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt dhe i etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”.

Kjo video vjen pas audiopërgjimit të parë, ku Albert Veliu “Babalja”, pretendonte se fliste me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj për trafik droge. /a.y/noa.al