Transmetuar më 11-10-2018, 12:36
Arber Cekaj

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaron se personi i akuzuar për sasinë e 613 kilogramë kokainë të bllokuar në Durrës, nuk do të ekstradohet nga Gjermania.

Sipas tij, kjo gjë vjen pasi në Gjermani ai po hetohet për një tjetër rast.

“Ka një ndryshim, nuk është më çështje ekstradimi por hetimi të përbashkët. Kjo i takon hetimit të Krimeve të Rënda, prokurorisë shqiptare dhe zyrës Së policisë gjermane”, tha Xhafaj ditën e sotme.

Çekaj është pronari i firmës “Arbi Garden”, të cilës më 27 shkurt iu gjetën 613 kg kokainë në Maminas, në kontenierët me banane.

Ai u arrestua në Dyseldorf të Gjermanisë disa muaj më parë, me identitet të ndryshuar, ku nga Arbër Çekaj, rezultonte Arbër Jansen, pasi kishte marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij nga Danimarka.

613 kilogramë kokainë u sekuestrua në kuadër të operacionit të koduar “last snow” (dëbora e fundit).

Kujtojmë se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë në kontenierin me banane e cila kishte mbërritur në portin e Durrësit më 19 shkurt.

Sakaq Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të arrestuarit e vetëm të këtij operacioni, shoferi Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë Donald Lushaj të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit. /a.y/noa.al