Transmetuar më 11-10-2018, 11:28

Presidenti Ilir Meta shpreh një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur Fatos Arapi.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e përkthyesit Fatos Arapi. Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm, do të mbeten unikale në letërsinë shqipe, si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera! I veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar, e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë”, shkruan Meta.

Ai shton se thjeshtësia, modestia dhe mirësia e tij në komunikim, na la mbresa të veçanta të gjithëve dhe e bëri figurën e tij edhe më shumë të dashur për të gjithë.

Sipas kreut të shtetit, këto cilësi i jepnin një vend e një dimension të veçantë në raportet njerëzore e shoqërore, pasi vepra e tij fliste vetë.

“Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij njeriu të veçantë, i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmve të tij e njëkohësisht gjithë miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të të paharruarit Fatos Arapi. U prehtë në paqe!”, thotë në mbyllje të mesazhit Presidenti. /a.y/noa.al

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar