Transmetuar më 10-10-2018, 20:38

Nga Mentor Kikia

Jam i të njëjtit mendim me Lulzim Bashën, që tha se krimi lulëzon, kur ai bën aleancë elektorale me politikën.

Partitë dhe kandidatët mbështeten tek të fortët. Gjatë fushatave, në shtabet e tyre elektorale ata tërheqin njerëz me makina me xhama të zinj, në emër të sigurimit të votave dhe ruajtjes së votave.

Dhe, këta njërëz, pasi partia që mbështesin merr pushtetin, shndërrohen në biznesmenë, nga ata soj biznesmenësh që aktivitetin ua mësojmë ose pasi vrasin dikë, ose pasi vriten.

Zoti Basha paraqiti një platformë për t’i pastruar zgjedhjet nga këta njerëz. Dhe këtu sërish ne jemi dhe duhet të jemi të gjithë dakord me zotin Basha.

Por unë nuk jam dakord me mënyrën se si po kërkon ta bëjë këtë zoti Basha.

Ai i paraqet platformat nga hotelet e Tiranës, ndërsa për ligjin e reformës zgjedhore nuk është hedhur asnjë nen.

Komisioni ka një vit e gjysmë që është krijuar, por asnjëra palë nuk ka dëshirë të punojë për këtë. Gjithonë ka një arsye se përse komisioni nuk mblidhet

Ligji i ri zgjedhor duhet të përfshijë jo vetëm pastrimin nga kriminelët, pro duhet të pastrojë së pari politikën edhe nga financimet e errëta.

Pa marrë përgjigje pyetja se ku i gjen politika paratë, ajo kurrë nuk mund të pastrohet.

Pa marrë përgjigje pyetja se kush e financon politikën, asaj nuk do t’i bëhët kurrë Vettingu.

Ata që furnizojë sot makinerinë elektorale, nesër do të marrin tenderat dhe koncensionet. Sepse kështu ka ndodhur, e kështu po ndodh.

Por që kjo të zgjidhet, duhet punuar, bërtitur e këmbëngulur atje, në kuvend, në komisione.

Nëse PD do të dojë të bëhet një ligj që partitë të tregojnë xhepat, që partitë të mos marrin para me trasta (jo në mënyrë figurative) por realisht me trasta, nga bizneset e koncensioneve, ajo duhet të këmbëngulë për këtë.

Ajo duhet të ngujohet aty, tek dera e Kuvendit, nëse mazhoranca nuk do. Dhe jam i sigurtë se populli do t’i shkojë nga pas.

Por në vend të kësaj, PD ka gjetur të mbajë peng reformën në drejtësi dhe të prezantojë platforma nga hotelet e Tiranës.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al