Transmetuar më 10-10-2018, 12:14
Viktima Qemal Alla

U ekzekutua me breshëri kallashnikovi rreth 100 metra larg shtëpisë së tij dhe të gjitha gjasat flasin si i kishin bërë pritë.

Nga hetimet e kryera lidhur me krimin e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, e martë, dyshohet se 48-vjeçarit Qemal Alla i kishin bërë pritë dy persona, të cilët duke përfituar nga errësira u zhdukën pa gjurmë.

Krimi ndodhi në fshatin Shegas të Lushnjes, ndërkohë që viktima rezulton të ketë qenë ish-kryeplak i fshatit.

Kanë qenë familjarët ata që pasi kanë dëgjuar krismat, dolën jashtë dhe e gjetën 48-vjeçarin të vrarë brenda mjetit të tij.

Për kapjen e autorëve të ngjarjes, policia me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ngritën pika kontrolli në zonë.

Viktima para disa vitesh ka qenë kryeplak dhe ka ndërhyrë për zgjidhjen e disa konflikteve pronësie mes banorëve të zonit, ndërkohë që prej disa kohësh kishte një dyqan fidanishte.

Nuk dihen ende shkaqet e kësaj vrasje, pasi i ndjeri, nuk rezultonte person me precedentë penalë, ndërkohë që hetimet janë në vijim. /a.y/noa.al

Ekzekutohet me armë zjarri pranë banesës së tij një person në Lushnje