Transmetuar më 30-09-2018, 11:56

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në fillimin e punimeve të rrugës Kardhiq-Delvinë. Ai e cilësoi si një rrugë të lënë rrugëve, ku projekti u ribë nga e para, ndërsa tuneli dhe pjesa që do lidh Delvinën me Sarandën, po bëhen tani pasi tha se, as nuk ishin parashikuar.

“Po bënin rrugë kombëtare siç i kanë bërë për faqe të zezë, që do ndalonte në Delvinë dhe nga Delvina në Sarandë do vijonte rruga e vjetër. Kjo histori ka marrë fund dhe faktikisht historia shekullore e kësaj zone që pothuaj është shpopulluar se ka mbetur jashtë çdo rruge zhvillimi, sot merr kthesë si histori e një zone që ka një potencial të madh zhvillimi turistik dhe ekonomik dhe nga ana tjetër ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm mbi ekonominë kombëtare”, u shpreh Rama.

Në vijim ai tha se nëse sot Gjirokastra dhe Saranda janë pranë por në një distancë dhe lëvizshmëri që nuk e inkurajon fluksin e lëvizjes së turistëve, nesër Gjirokastra dhe Saranda do jenë një dhe gjithë lidhja me pjesën sipër duke kaluar përmes Kardhiqit do jetë shumë më e shpejtë dhe turistike.

Sipas tij, traseja e rrugës së re dhe projekti i ri, nuk është asgjë më shumë se sa rikonceptimi me standarde të sotme, i shtegut të përdorur qysh në prehistori.

Rama deklaroi se rruga e re Kardhiq-Delvinë, është faktikisht një çarje shumë e rëndësishme për të shmangur Qafën e Muzinës dhe për ta shkurtuar me pothuajse një orë linjën Tiranë-Sarandë.

Kryeministri shtoi më tej se me përfundimin e këtij aksi dhe by-passit të Fierit, më në fund do të ketë një lidhje Tiranë-Sarandë që nuk do të marrë më shumë se tre orë kohë.

“Ne do ndërtojmë rrugë europiane, jo rrugë që janë edhe rrugë, edhe udhëkryqe”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. /a.y/noa.al