Transmetuar më 21-09-2018, 15:28
Arta Marku

Opozita ka paditur kryeprokuroren Arta Marku pas transferimit të prokurorëve që hetojnë ish-​Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Padia u depozitua në Prokurorinë e Tiranës në emër të opozitës nga kryetarët e grupeve parlamentare PD- LSI, Spaho dhe Vasili.

Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”.

Opozita i cilëson lëvizjet e prokurorëve të urdhëruara politikisht.

“Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj Tahirit”, shprehet opozita në kallëzimin penal.

“Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit. Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të  Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”, thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës.

Në Kallëzimin Penal theksohet gjithashtu, se akte të, provojnë tërësisht se qëllimi i Markut në detyrë “është shërbimi politik ndaj Edi Ramës, dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj qeverie apo organizatave kriminale të lidhura me të”.

Duke qenë se Arta Marku drejton prokurorinë dhe kallëzimi është bërë tek vartësit e saj në Prokurorinë e Tiranës, opozita ka kërkuar njëkohësisht edhe marrjen e masës së përkohshme të pezullimit nga detyra deri në përfundimin e hetimit./a.m./noa.al/