Transmetuar më 21-09-2018, 14:00

Dy prej përfaqësuesve të lartë të Partive Popullore Europiane, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Patrick Voller dhe Presidentja e Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack, vunë në dukje në Tiranë se me krim të organizuar që i sjell Shqipërisë dhe Europës destabilitet, integrimi europian do të vonohet edhe më shumë.

“Dekriminalizimi i politikës është kyç për Shqipërinë dhe ligjet e miratuara duhet të vihen në zbatim”, u shpreh Voller, i cili vuri komentoi me tone kritike ngjarjet e fundit në prokurori.

“Forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, pavarësia në sistemin gjyqësor duhet të shënojë progres, por  transferimi i prokurorëve siç ndodhi dje, nuk është një shenjë e mirë”, tha Voller.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten dy kërkesa themelore në mënyrë që Shqipëria të bëjë përpara me negociatat vitin e ardhshëm.

“Le të themi se peshqit e mëdhenj dhe të paprekshmit, duhet çohen përpara drejtësisë”, u shpreh Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Popullore Europiane.

Edhe më kritike ndaj qeverisë u shpreh Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Doris Pack. Ajo deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa prapa, e cila shprehu shqetësim për veprimet e papranueshme të prokurorisë për mbylljen e dosjeve Tahiri dhe Shullazi.

“Kryeprokurorja e përkohshme po i nxjerr jashtë loje prokurorët që duhet të përballen me kriminelë të rrezikshëm dhe i dërgon ata në detyra të tjera. Ky është një simbol që tregon për veprime për të mos respektuar drejtësinë dhe për t’i shpëtuar daljes para gjykatës dhe sigurisht që është diçka që s’mund të pranohet”, tha Pack.

Ajo foli edhe për situatën e rëndë të krimit në Shkodër, duke vënë në dukje ekzistencën e bandave mafioze, vrasjeve, pengmarrjeve, situatës së rëndë të krimit në Vlorë dhe mosveprimit të qeverisë për të siguruar jetën e njerëzve.

“Shpesh ndihem e turpëruar për gjithçka çfarë ka ndodhur në vitet e fundit dhe nuk janë marrë në konsideratë nga jashtë. Zyrtarët e BE-së kanë thënë vetëm që vendi është në rrugë të mbarë e kështu me radhë në vend që të vendosnin gishtin në plagë. Kjo ka qenë e turpshme dhe para zgjedhjeve të vitit të kaluara i vetmi zë në perëndim që fliste për kanabisin këtu isha unë. Nuk është se jemi kundër dikujt, por se jemi në favor të njerëzve që jetojnë në këtë vend”, u shpreh Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Doris Pack.

Patrick Voller dhe Doris Pack morën pjesë në konferencën ballkanike me temë “30 vjet më pas. Çfarë e mban Ballkanin jashtë BE. Roli i Gruas në procesin e Integrimit”. /a.y/noa.al