Transmetuar më 21-09-2018, 10:14

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se në pesë vitet e fundit ka patur një rritje galoponte të varfërisë, ku mbi 200 mijë shqiptarë që nuk arrijnë të sigurojnë bukën e fëmijëve.

Ai tha gjithashtu se Shqipëria ka kapur vendin e parë në botë për konsumin e kokainës, ku përdoret nga 2.5% e popullsisë.

Basha deklaroi se qendrat e qyteteve janë kthyer në arenë të larjes së hesapeve, kryesisht për prishje të pazareve të drogës.

Në këtë drejtim ai tha se lidhja e politikës me krimin është pengesa kryesore për integrimin.

Madje ai shigjetoi edhe kryeprokuroren Arta Marku, të cilën e cilësoi si “prokurorja e Ramës”, e cila me një të rënë të lapsit ka lënë pa prokurorë çështjen e Emiljano Shullazit.

Sipas tij, Prokuroria sot është vënë mbrojtje të Saimir Tahirit, Fatmir Xhafaj, duke shtuar se është bërë gati lirimi i Shullazit dhe është liruar Ermal Hoxha, për sjellje të mirë se nuk nxori emrin e Olsi Ramës, si të përfshirë në fabrikën e kokainës në Xibrakë.

“Krimi ka bekimin e ministrit të Brendshëm, paratë publike përfundojnë në duart e politikanëve dhe personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë, të dënuar për trafik droge që fitojnë qindra miliona euroa nga qeveria e Edi Ramës. Pastrimi i parave të pista të krimit ka kapur Kuvendin e Shqipërisë. Ku i pastrojnë paratë e pista kriminelët? Me bixhoz dhe ndërtim”, u shpreh Basha.

Në këtë linjë ai deklaroi se javën e kaluar parlamenti uli taksat për bixhozin dhe dje miratoi ligjin për Teatrin, për ti hapur rrugë ndërtimit të shtatë kullave.

Basha tha se Kuvendi ka marrë përsipër të pastrojë paratë e pista të drogës dhe krimit.

Deklarata e kreut të opozitës u mbajt gjatë një aktiviteti për rolin e gruas në procesin e integrimit, ku u zotua se për PD fuqizimi i rolit të vajzave dhe grave në politikë është një objektiv kryesor dhe i patjetërsueshëm. /a.y/noa.al