Transmetuar më 18-09-2018, 13:22

Kryeministri Edi Rama reagon ndaj deklaratës së kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili e akuzoi si të lidhur me krimin.

Rama e ironizon Bashën, duke i thënë se nuk ka shans për të marrë pushtet me zgjedhje.

“Ai krimineli është shoku i burrit të motrës së kundërshtarit tim. Mamaja e tij ka lidhje me tre komshi kriminelë. Krushku i njërit është trafikant që del i lidhur me kundërshtarin tim. Shans për të marrë pushtet me zgjedhje unë s’kam. Prandaj dua veting për lidhjet e tij me krimin”, shkruan Rama.

Më herët në një dalje për mediat, kryedemokrati Basha tha se kjo është java e fundit e afatit të Kuvendit që të nisë procedurat për amendimin e Kushtetutës, në mënyrë që politikanët ti nënshtrohen procesit të vetingut, pas nismës së depozituar nga PD.

Sipas tij, nisma e PD për vetingun është e njëjtë si ajo për drejtësinë dhe policinë dhe që mundëson pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin.

Kryedemokrati deklaroi se ata që duhet të qëndrojnë në burg, dalin.

“Dje doli Ermal Hoxha! Për sjellje të mirë sigurisht, se nuk nxori emrin e Olsi Ramës si porositësin e kokainës së Xibrakës. Dje nxori Ermal Hoxhën nga burgu, ndërsa Saimir Tahiri që u dokumentua se ka hyrë e ka dalë nga Mali i Zi, i jep mbrojtje politike, se është vetë i përfshirë në aferën kriminale të trafikut të drogës, përmes vëllait të tij”, u shpreh Basha.

Ai tha se Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri, kanë provën e përfshirjes së Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës dhe me të shantazhojnë Edi Ramën.

Sipas tij, kjo është dosja që sot mban peng Ramën dhe ligjin e bën krimi nga veriu në jug. /a.y/noa.al

Basha: Rama nxori nga burgu Ermal Hoxhën, "shpërblim" se nuk nxori emrin e Olsit për kokainën