Transmetuar më 18-09-2018, 13:06

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, përmbyll zyrtarisht detyrën në Shqipëri. Ai do të jetë i dërguari i Amerikës në Kirgistan.

Ambasada e SHBA në Tiranë, nëpërmjet një skice të publikuar ditën e sotme, uron “Rrugë të mbarë, Ambasador Lu!”

Por ndërsa në skicë tregohet se rruga e tij është për në Kirgistan, lihen pas “reforma në drejtësi”, “dekriminalizimi”, “burgu” dhe “zgjedhjet”.

Janë pikërisht këto çështjet, të cilat Lu i ka ngritur si shqetësim gjatë detyrës së tij në Shqipëri. Një tjetër porosi e tij ishte edhe kapja e “peshqve të mëdhenj”.

Takimin e fundit në Tiranë, ai e pati ditën e djeshme, me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Gjatë takimit u diskutua mbi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit dhe sukseset e përbashkëta të arritura, si reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, reformimi në proces i Policisë së Shtetit etj.

Po ashtu u konfirmua mbështetja në vijimësi për operacionin “Forca e Ligjit”, duke synuar përfshirjen më të madhe të agjencive ligj zbatuese amerikane, për rezultate konkrete. /a.y/noa.al