Transmetuar më 18-09-2018, 12:51

Qysh në orët e para të ditës së sotme, në Jalë të Himarës, ka pasur përplasje të forta dhe momente tensioni mes banorëve dhe policisë.

Gjithçka pasi Inspektoriati Kombëtar i Territorit, ka nisur aksionin në zonë për prishjen e objekteve pa leje.

Por banorët janë përplasur me punonjësit e IKMT dhe policinë duke thënë se nuk janë lajmëruar për aksionin dhe se në dhoma kanë pasur pushues.

Ata pretendojnë se janë me dokumente të rregullta dhe se po i nxjerrin me dhunë nga prona e tyre.

Ndërsa banorët pretendojnë se janë shoqëruar nga policia, kjo e fundit thotë se nuk ka të tillë. Në fotografi dhe video, mund të shikoni pamje nga momentet e tensionit.

Jale, aksioni i IKMT on Vidnews.

Sakaq në një qëndrim zyrtar, IKMT tha se ka nisur sot prishjen e nëntë objekteve të ndërtuara në zonën e Jalës.

Objektet me sipërfaqe të ndryshme dhe me lartësi një dhe dy katëshe, kanë pasur funksione shërbimi, kryesisht në hoteleri.

Sqarohet se aksioni i IKMT ka nisur pasi më parë për këto objekte është bërë procesi i skualifikimit nga ana e institucionit të ALUIZNI-it duke u trajtuar si ndërtim i paligjshëm. Pavarësisht kësaj, sërish IKMT ka bërë njoftimet sipas ligjit. /a.y/noa.al