Transmetuar më 18-09-2018, 12:25

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kjo është java e fundit e afatit të Kuvendit që të nisë procedurat për amendimin e Kushtetutës, në mënyrë që politikanët ti nënshtrohen procesit të vetingut, pas nismës së depozituar nga PD.

Sipas tij, nisma e PD për vetingun është e njëjtë si ajo për drejtësinë dhe policinë dhe që mundëson pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin.

Kryedemokrati deklaroi se ata që duhet të qëndrojnë në burg, dalin.

“Dje doli Ermal Hoxha! Për sjellje të mirë sigurisht, se nuk nxori emrin e Olsi Ramës si porositësin e kokainës së Xibrakës. Dje nxori Ermal Hoxhën nga burgu, ndërsa Saimir Tahiri që u dokumentua se ka hyrë e ka dalë nga Mali i Zi, i jep mbrojtje politike, se është vetë i përfshirë në aferën kriminale të trafikut të drogës, përmes vëllait të tij”, u shpreh Basha.

Ai tha se Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri, kanë provën e përfshirjes së Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës dhe me të shantazhojnë Edi Ramën.

Sipas tij, kjo është dosja që sot mban peng Ramën dhe ligjin e bën krimi nga veriu në jug.

Ai deklaroi se Fatmir Xhafa ndihmoi të vëllanë që ti shpëtojë drejtësisë deri kur u denoncua nga opozita. /a.y/noa.al