Transmetuar më 18-09-2018, 00:14

Dikur ka qenë e martuar, me dy vajza, dy prona, bënte punë të qetë dhe jetë të rehatshme.

Por tashmë e pastrehë, Lorna Ueb tregon se si shpenzoi 250 mijë paundë britanikë (gati 280 mijë euro).

Lorna tregon historinë e ndërlikuar të jetës, se si ajo ka qenë e birësuar, por familja që e mori në birësim e kishte kthyer te prindërit natyralë brenda gjashtë muajsh, me të cilët ajo nuk kishte jetuar dot dhe ishte larguar nga shtëpia sapo kishte mbushur16 vjeçe.

Në moshën 19 vjeçare ishte shpërngulur në Kembrixh, dhe në moshë 21-vjeçare kishte lindur vajzën e parë. Në këtë kohë punonte në një furrë buke e me shpërndarje ushqimesh. Të dytën e lindi kur ishte 30 vjeçe.

Por duke qenë se birësimi ishte kryer plotësisht, Lorna kishte trashëguar 250 mijë paundë nga babai që e kishte birësuar. Familjarët e tjerë kishin shitur shtëpinë e të ndjerit dhe i kishin dhënë Lornës pjesën e saj. Por kjo ndodhi pikërisht kur ajo kishte krijuar varësi të rëndë droge, shkruan TCH.

“Kur mora paratë, unë jetoja ku të mundesha, nëpër shtëpitë e miqve e ku të gjeja. Miqtë e mi janë të gjithë me varësi droge”, thotë Lorna, e cila shpjegon se në atë kohë kishte pasur edhe sëmundje të tjera fizike si dhe një krizë psikologjike.

Ajo nisi ta shpenzojë trashëgiminë duke blerë alkool dhe drogë për veten e për miqtë, duke shpenzuar deri në 18,000 paundë në muaj.

Tani që është e pastrehë, është penduar që nuk ia dha paratë dy vajzave dhe vuan shumë që ka kohë pa i parë. “U bleva vajzave disa stoli në fillim dhe ua dërgova”, thotë ajo, dhe shton që dje i ishte dukur një vajzë që kishte kaluar aty pranë si e bija, por nuk ishte e sigurt.

Përveçse e pastrehë, Lorna ka pasur probleme dhe me ligjin. Ajo bëri tetë muaj burg pasi ishte kapur e armatosur me një thikë, duke u grindur me një grua tjetër.