Transmetuar më 14-09-2018, 12:00
Foto ilustruese

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Repas të Lushnjes që fatmirësisht u mbyll pa shkaktuar viktima.

Teksa ishte në operacion në këtë fshat duke kryer kontrolle për persona të kërkuar për vepra të rënda penale, policia rrethoi banesën e një 77-vjeçari që dyshohej se strehonte dy të dyshuar për vrasje.

Policia thotë se rrethoi banesën rreth orës 05:30 dhe i bëri thirrje shtetasit me inicialet H.L., 77-vjeç të dalë nga banesa.

Por, ky i fundit ka refuzuar madje ka dalë në dritare me një armë zjarri tip çifte.

Në ato momente policia thotë se ka qëlluar në ajër për të trembur të moshuarin.

Por, ky i fundit ka mbetur i lënduar në kokë. Policia nuk ka sqaruar ende nëse i moshuari është dëmtuar nga armët.

“Në rrethana ende të paqarta shtetasi H.L., është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat”, thotë policia zyrtarisht.

Operacioni në fshatin Repas është në vijim të kontrolleve të shumta që po kryhen në të gjithë vendin nga forcat speciale së fundi për kapjen e personave me rrezikshmëri./a.m./noa.al/