Transmetuar më 13-09-2018, 15:11

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është përballur me një situatë të sikletshme në koncertin e saj të parë në Kinë.

Një video është duke qarkulluar në rrjet, ku shihet se gjatë koncertit të këngëtares, mbajtur në Shangai, disa fansa janë larguar me forcë nga personeli i sigurisë.

Dua ishte duke kënduar disa prej këngëve të saj më të famshme, kur në një moment punonjësit e sigurisë shkuan drejt disa personave që ndodheshin në rreshtat e parë të koncertit dhe filluan t’i ngrinin nga vendi, madje përdorën dhe forcë ndaj tyre.

Por a u bë kjo për shkak të sigurisë së artistes? Duket se jo, edhe pse një version zyrtar për incidentin ende nuk ka dalë.

Fansat e tjerë të pranishëm në koncert kanë thënë se në fakt personeli i sigurimit i ka larguar njerëzit sepse ata mbanin disa flamuj të cilët i përkisnin komunitetit LGBT.

Në Kinë, shfaqje të tilla përkrahjeje për këtë komunitet konsiderohen të paligjshme. Të tjerë dëshmitarë kanë thënë se ky incident ndodhi pasi disa fansa ishin çuar në këmbë dhe po kërcenin, mesa duket dhe kjo nuk është diçka që bëhet rëndom në Kinë. /k.k/noa.al/