Nuk u lejua të shkojë në Drenicë, Vuçiç nga Mitrovica: Nuk do e njohim kurrë Kosovën
Transmetuar më 09-09-2018, 12:56

Pasi u pengua që të shkojë për vizitë në Banjë të Drenicës, ku jeton një pjesë e komunitetit serb, Presidenti Aleksandër Vuçiç u ndal në veri të Mitrovicës.

Ai u prit në sheshin “Car Llazar” nga mbështetës të shumtë, prej nga deklaroi prerë se Serbia nuk do e njohë kurrë Kosovën.

Javëve të fundit dikush thotë se ne duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës, por mund t’ua them se kjo është një gënjeshtër e hapur, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Vuçiç.

Më tej ai iu bëri thirrje qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, që të luftojnë për të drejtat e tyre.

Presidenti serb, tha gjithashtu se herën tjetër që do të shkojë në Kosovë, askush nuk do mund ta ndalë për të vizituar Banjën.

Ai mohoi që të dojë ndryshim kufijsh, duke thënë se, “Dua të ruaj gjithçka që është e mundur në Kosovë, pasi situatën nuk e kemi njëlloj si para 30 viteve”.

Vuçiç e anuloi vizitën e parashikuar për tu zhvilluar ditën e sotme, në Banjë të Drenicës, duke thënë se “Nuk është mundësuar vizita ime atje, dhe nuk dua të rrezikoj jetën tuaj.

Ky vendim erdhi pasi ai u ndalua nga policia e Kosovës, për të vijuar rrugën drejt Drenicës, ku synimi ishte të vizitonte fshatin Banjë.

Policia e Kosovës bllokoi automjetin e Vuçiç dhe eskortën e tij, duke mos e lejuar që të shkojë në Banjë. Sakaq vetë Presidenti serb diskutoi me policët, me synim gjetjen e një mënyre për të vijuar rrugën, por pa rezultat.

Ndërkohë qytetarët kishin vendosur barrikada, në mënyrë që të bllokojnë çdo rrugë që të çon në Banjë.

Paraditen e sotme Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, anuloi lejen e dhënë për të lejuar Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, që të vizitonte Drenicën.

Në qëndrimin e bërë publik ai tha se, “Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Ky vendim i Haradinaj, erdhi pas protestave të zhvilluara nga qytetarët e Kosovës. /a.y/noa.al

Rrugës për në Drenicë, policia e Kosovës ndalon Presidentin serb

Haradinaj i anulon Vuçiç, lejen për të vizituar Drenicën. Reagon Presidenti serb

Loading...
Loading...