Transmetuar më 06-09-2018, 21:19
Majtas Elton Deda, djathtas vula e shoqatës me imazhin e Ferdinand Dedës

Hiqej si shoqate kulturore, por misioni i saj ishte rekrutimi i vajzave për prostitucion.

Skandali u zbulua një ditë më parë nga emisioni investigativ “Fiks fare” ndërkohë shoqata mbante emrin e një dirigjenti të madh shqiptar i cili ka ndërruar jetë 15 vite më parë.

Mbante pikërisht emrin e Ferdinand Dedës, babait të Elton Dedës. Ky detaj i shpëtoi mediave një ditë më parë, por sot ka reaguar kantautori Deda i cili shprehet i tronditur nga ky zbulim.

“I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Më në fund të erdhi edhe ty rradha që në 15 vjetorin e vdekjes, të dalësh në TV, jo me baketën tënde në dorë por fytyra jote e pashme e stampuar në një vule shoqate e cila merret me prostitucion dhe eskorta”, thotë Deda.

Ai thotë se personi fjalë, as që kishte marrë leje për t’i vënë emrin e familjarit të tyre të ndjerë shoqatës së tij që e përdorte për punë të pista.

“Se si është legalizuar kjo shoqatë në gjykatë nuk e di, por me siguri kanë harruar të kërkojnë pëlqimin tënd meqenëse ti ke lëvizur për pak kohë jashtë shtetit. Gjithashtu edhe për ne familjarët e tu, harruan të na kërkojnë një autorizim të përkohshëm derisa të vije ti. Meqë të erdhi shpirti në majë të hundës dhe vendose të mos ktheheshe, këta vendosën të të kujtojnë duke të respektuar dhe duke i vënë emrin tënd të nderuar një shoqate. Mbase pë të kishe vendosur të rrije edhe mund të kishe përfituar diçka nën dorë, pa zhurmë dhe mbase kishe mbyllur ndonjë vrimë në portofol”, thotë më tej Eltoni në mesazhin e tij.

Ai jep edhe një premtim për babanë e tij. Deda thotë se do t’i shkojë deri në fund çështjes, derisa të vendoset drejtësi.

“Të premtoj që do bëj ç’është e mundur (pasi e di që shumë pak prej baballarëve të kombit do t’u interesojë ta ndjekin këtë çështje), ta heq përjetësisht fytyrën tënde të hijshme nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë. Nuk mund të rri pa falenderuar Fiks Fare që e solli në vëmendje këtë fenomen. Do flasim prape Babi, qëndro i fortë! Yt bir”, mbyllet mesazhi i Elton Dedës./a.m./noa.al/

Skandali, “Shoqata Kulturore”, rekrutonte vajza për prostitucion në Maqedoni