Transmetuar më 18-08-2018, 21:03

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë ngushëllimi në fshatin Oblikë të Shkodrës, atje ku ndodhet familja e Admir Bokrinës, njërit prej 43 viktimave në Genova gjatë shembjes së urës.

Meta iu bashkua dhimbjes së familjarëve për humbjen e të riut, ndërsa bëri thirrje që kjo tragjedi të rrisë reflektimin për sigurinë e veprave publike edhe në vendin tonë.

“Nuk kanë fuqi fjalët, për të shprehur dhimbjen e ngushëllimin për këtë rast tragjik. Tragjedia e Genovas të na ndihmojë të reflektojmë për sigurinë e veprave publike. Duhet të marrim masa të forta për parandalimin e tragjedive të tilla në vendin tonë”, u shpreh Meta në familjen Bokrina.

Admir Bokrina, së bashku me Marius Djerrin, ishin dy shqiptarët, që së bashku me 41 shtetas italianë, humbën jetën gjatë shembjes tragjike të urës Morandi, në Genova të Italisë./a.k/noa.al/