Transmetuar më 18-08-2018, 13:05

Deputeti demokrat Ervin Salianji, thotë se prej 24 orësh media ka bërë publike përgjimet e prokurorisë, ku deputeti i Partisë Socialiste në Shijak, Jurgis Çyrbja, faktohet si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtor për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në emër të tij.

Në një dalje për mediat nga selia blu këtë të shtunë, ai tha se në një përpjekje të dëshpëruar, deputeti i Edi Ramës mashtroi dje shqiptarët dhe u përpoq t’u hidhte hi syve për të shpëtuar veten.

“Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti i Edi Ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çështjen e hotel Vollgës. Kjo pronë është regjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në parlament nën mbrojtjen e Edi Ramës”, u shpreh Salianji.

Deputeti demokrat shtoi se Edi Rama, njësoj si prokuroria që ka në varësi, hesht prej 24 orësh.

Ai pyet se pse e ka kyçur gojën Rama, i cili sipas tij, komenton edhe fustanet e grave, por jo lidhjet e deputetit të tij të Shijakut me bandën e Emiljano Shullazit.

Salianji deklaroi se Edi Rama nuk flet për të dënuar lidhjet e krimit me politikën, sepse ai është arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin, i cili e mban në pushtet.

Në këtë linjë shtoi se, kështu po mbron Rama Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Mark Frrokun, Arben Ndokën, Armando Prengën dhe çdo lidhje të krimit brenda dhe jashtë parlamentit.

“Shqiptarët duhet ta dinë që, nëse Edi Rama do të lejonte kukullat e veta në Prokurori të zbatojnë ligjin, në Kuvend duhet të kishte shkuar kërkesa për arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurges Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit”, tha në mbyllje të fjalës së tij deputeti demokrat. /a.y/noa.al

PD kërkon arrestimin e tij, reagon deputeti: Opozitë pa ekip e lidership

PD kërkon arrestimin e deputetit socialist: Është anëtar i bandës së Shullazit