Transmetuar më 18-08-2018, 09:20

Një operacion antidrogë i policisë së Tiranës i koduar “Tattoo”, ka vënë në pranga dy persona, të cilët u kapën me kanabis sativa dhe municione luftarake.

Operacioni u zhvillua gjatë ditës së djeshme, e premte, nga efektivët e komisariatit nr.1, të cilët vunë në pranga Armando Beharin, 24 vjeç, banues në Tiranë dhe Xhevit Bogdanin, 21 vjeç, banues në Përrenjas.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë O. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Për të dyshuarit disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në zonën e “Ali Demit” dhe “Maternitetit të Ri”.

Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në studion e tatuazheve në pronësi të Armando Beharit, ku i pranishëm ndodhej edhe Xhevit Bogdani, u gjet një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, si dhe një sasi fishekësh të kalibrit të ndryshëm.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Bogdanit, i cili jetonte me shtetasin O. Gj., është gjetur një sasi tjetër lëndë e dyshuar narkotike, si dhe një dorezë metalike në kushtet e armës së ftohtë e cila i përkiste shtetasit O. Gj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 kg e 111 gramë kanabis sativa, 66 fishekë të kalibrit të ndryshëm, dy aparate celularë dhe një dorezë metalike.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për për veprat penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak e kryer në bashkëpunim”, dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /a.y/noa.al