Transmetuar më 18-08-2018, 09:09

Ashtu si çdo fundjavë edhe natën mes të premtes dhe të shtunës, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet me mjete speciale si Radar dhe Drager, ku kontrollet janë përqendruar në rrugët dhe zonat kryesore te evidentuara si “njolla të zeza” për shkak të ngjarjeve rrugore të ndodhura.

Nga verifikimet në terren janë evidentuar një numër i lartë shkeljesh, ku nga rrezikshmëria vlen të përmenden disa raste konstatimesh, si ai i rrugës “Ferit Xhajko” ku shpejtësia e lëvizjes së automjetit ishte 120 km/h, niveli i alkoolit 0.78 mg/, ndërkohe që në automjet udhëtonin e gjithë familja, përfshi edhe dy fëmijët e mitur.

Në rrugën e “Kavajës” shpejtësia e lëvizjes së automjeteve varionte nga 93 km/h deri ne 99 km/h, ndërkohë që shpejtësia maksimale e lejuar është jo më shumë se 30 km/h.

Gjithashtu deri në këto momente janë arrestuar në kushtet e flagrancës 5 persona, nga të cilët 4 në gjendje të dehur dhe një i pa pajisur me leje drejtimi.

Janë pezulluar 32 leje drejtimi nga te cilat, 20 për drejtim mjeti nen ndikimin e alkoolit dhe 12 për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe janë ndaluar administrativisht 12 mjete për detyrime administrative të pashlyera.

“Fundjavë për të festuar, por jo për të rrezikuar”, thuhet në qëndrimin e policisë, e cila fton drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. /a.y/noa.al